Lidhje

Prona e trashëgimtarëve Xhaçka, një histori 23-vjeçare vonesash


Mos-kthimi i pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:58 0:00

Në Shqipëri, moskthimi i pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist është një prej çështjeve më të komplikuara që ende nuk ka marrë zgjidhjen e duhur. Një numër i madh pronarësh nuk arrijnë të marrin pronat e tyre që nga fillimi i viteve '90-të e deri sot, duke u endur nëpër gjykata. Një nga rastet, me historinë e së cilës do t’ju njohim në vazhdim, është edhe prona e familjes Sotir Pluska dhe trashëgimtarëve të tij Xhaçka, sot me shtetësi amerikane, që i kanë filluar përpjekjet para 23 vjetësh. Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana.

Trualli në pronësi të familjes Pluska dhe trashëgimtarëve Xhaçka është në mes të kryeqytetit, brenda ish-bllokut famëkeq, pjesë e hapësirës që rrethonte dikur shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha, e që shërbente si lulishte për të.

Gjykata e Tiranës ua njohu atyre pronësinë qysh në vitin 1996, por Komisioni i Kthimit të Pronave ua bllokoi, pasi brenda truallit disa sera lulesh dhe një kioskë për mbajtjen e veglave të bahçevanëve, figuronin si pjesë e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe pretendohej se nevojiteshin për shërbime shtetërore.

Por, kjo pronë e familjes Pluska / Xhaçka nuk u përdor nga shteti, as nuk u kompensua, por në vitin 2001, Ministria e Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ia dhanë me qera truallin, serat brenda tyre, si dhe një bar restorant ngjitur me to, por jashtë truallit, për 1 dollar metrin katror, shoqërisë “Mariott” për shfrytëzim 10 vjeçar.

Në një vendim të dytë, në vitin 2002 Gjykata e Tiranës anullon vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave dhe vendos që sipërfaqja prej 1299 metra katrorë t’i kthehet trashëgimtarëve të Sotir Plluskës.

Në këtë gjykim ishin palë në gjyq Komisioni i Kthimit të Pronave, Shoqëria Mariott, Ministria e Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Të katër këta përfaqësues bënë ankim kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit dhe kjo la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Po ashtu është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe ajo nuk e mori parasysh, sepse nuk gjeti arsye ligjore” - tha avokati i pronarëve, Gazmend Zeneli.

Edhe pse kaluan 10 vjet nga vendimi i parë gjyqësor në favor të tyre, urdhëri i ri i Gjykatës për t’u liruar trualli u zbatua pas dy vjetësh të tjera, pasi pronarët iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut. Kërkesa që Strasburgu i drejton qeverisë së Tiranës për informacion, duket se detyron autoritetet të zbatojnë vendimet e gjykatës.

Pas rrethanave të reja pronësore, Ministria e Ekonomisë, Shoqëria MARIOTT dhe familja Xhaçka firmosin në fillim të vitit 2009 një Aneks Kontratë, sipas të cilës Mariott vazhdon qeranë me shtetin për lokalin përbri pronës, ndërsa për sipërfaqen përpara lokalit, duhej të merrej vesh për qeratë me familjen Xhaçka, si pronare e truallit.

Avokati i shoqërisë qeramarrëse thotë se kjo Aneks - Kontratë vërteton që familja Xhaçka ka dijeni se në pronën që ata pretendojnë sot të lirojë dhe dorëzojë z. Artan Aliaj, ka patur edhe një objekt të ligjshëm, që atij iu dha me qera nga shteti në vitin 2001 për një periudhë 10 vjeçare.

Familja Xhaçka ka abuzuar me gjykatën, kur ka pretenduar përpara Gjykatës se trualli është i lirë. Gjithashtu ka abuzuar kur kërkon ndihmën e IMT për prishjen e një objekti të paligjshëm, pasi që në 2009-ën është në dijeni të ekzistencës së një objekti të ligjshëm mbi bazë kontratash ligjore ku dhe vetë u bënë palë”, thotë Sokol Mëngjesi, avokati i zotit Aliaj.

Avokati i pronarëve, Gazmend Zeneli, duke iu referuar të njejtit dokument thotë se Aneks-Kontrata 3-palëshe, përcakton shprehimisht se trualli i pronarëve është i lirë.

Zoti Aliaj kishte ndërtuar pa leje në truallin tonë; kishte ndërtuar një kioskë, si të themi në gjuhën popullore, dhe kishte rregulluar ambientin nga brenda. Për këtë shkak edhe nga ana e bashkisë u nxorr leje për prishjen e këtij ndërtimi provizor. Ato janë ndërtime pa leje dhe zoti Aliaj nuk ka patur ndonjëherë leje për ndërtim atje”, thotë ai.

Në mesin e vitit 2011, Ministria e Ekonomisë dhe shoqëria “Mariott”, me emrin e ri “Style Club”, e rinovojnë kontratën edhe për një 10-vjeçar tjetër, deri në vitin 2021. Sipas ministrisë, qeramarrësi ka investuar 4-fishin e shumës së deklaruar në planin fillestar për rikonstruksionin e mjediseve të lokalit.

Pronarët Xhaçka paditën tetorin e kaluar shoqërinë “Style Club” në Gjykatën e Tiranës të lironte truallin e tyre dhe t’u paguante mbi 500 mijë dollarë qera të prapambetura.

Gjykata vendos sigurim padie dhe bazuar në nëntor të vitit të kaluar, përmbarimi liron truallin.

Qeramarrësi Artan Aliaj nuk ishte në Tiranë ditën kur veproi përmbarimi, por paditi për shkelje ligjore bashkinë dhe përmbarimin, si dhe kërkoi largimin e gjyqtares Dhurata Balla nga procesi dhe rrëzimin e vendimit të saj.

Procedura e ndjekur nga përfaqësuesit e familjes Xhaçka është në kundërshtim me ligjet materiale dhe procedurale të Shqipërisë dhe zotit Aliaj i janë shkelur shumë rëndë të drejtat kushtetuese”, thotë avokati Sokol Mëngjesi.

Por, më 20 mars 2019, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e gjyqtares Balla. Palët janë tani në gjyq lidhur me pretendimet për qeratë e prapambetura.

Nga ana tjetër, kontrata e qerasë së lokalit me Ministrinë e Ekonomisë vazhdon deri në mesin e vitit 2021 dhe qeramarrësi mund të ankohet edhe në Gjykatën e Lartë për vendimin e fundit të Apelit.

Palët vazhdojnë nëpër gjyqe kundër njëra-tjetrës, duke zvarritur më tej këtë çështje pronësore, ashtu si edhe shumë gjyqe të tjera pronash në Shqipëri.

Vështirësitë e pronarëve, për të shfrytëzuar pronat e tyre të sekuestruara padrejtësisht nga regjimi komunist para mbi 70 vjetësh ende vazhdojnë. Pakënaqësitë e tyre drejtohen ndaj qeverive të ndryshme pas-komuniste në Shqipëri që, jo vetëm nuk kanë bërë sa duhet, por shpesh janë bërë pengesë për vendosjen e drejtësisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG