Në ditën ndërkombëtare kundër HIV-AIDS-it disa qindra të rinj dhe banorë të Shkodrës marrshuan sot në mesditë nëpër rrugën kryesore të qytetit në shenjë solidariteti me të gjithë përsonat e përfshire në fushatën ndërgjegjësuese kundër HIV- AIDS-it. Me ta u bashkua edhe Ministri i Shendetësisë si dhe përfaqesues të programit të Kombeve të Bashkuara kundër AIDS, UNAIDS.
Ministri i Shendetësisë Ilir Beqaj shprehu shqetësim në lidhje me numrin në rritje të të prekurve gjatë këtij viti, ndërkohë që apeloi për kryerjen e testit, si një mundësi për parandalimin dhe trajtimin në kohë të sëmundjes.
Në vitet e fundit, tendenca e rritjes është e lartë. Në 11 muajt e këtij viti janë zbuluar 75 raste të reja me HIV-AIDS. Pra, nëqoftëse në Shqipëri, që nga viti 1993, kur edhe u zbulua rasti i parë me HIV-AIDIS, kemi 774 raste, 10 përqind i kemi vetëm në këto 11 muaj dhe, për fat të keq, pesë prej tyre janë fëmijë. Por, të paktën duhet të jemi të vetëdijshëm që mund të testohet në Shqipëri dhe mund të identifikohet. Analizat për këtë qëllim janë falas për këdo, por gjithashtu falas është edhe trajtimi në rast sëmundjeje.
Ndërkohë, përfaqesuesja e programit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Bujana Hoti, tha se veprimtaritë ndergjegjësuese kundër HIV-AIDS u përqendruan këtë vit në Shkodër, për shkak të nismës që të rinjtë e këtij qyteti kanë marrë për testimin vullnetar për HIV-AIDS.
Zakonisht, ne aktivitetin qendror e bëjmë në Tiranë, por sivjet jemi zhvendosur në Shkodër edhe për arsye se Shkodra ka rimarrë një nisëm të promovimit të testimit tek të rinjtë dhe gratë shtatzëna. Ka një javë që zhvillohet aktivitet promovues, qoftë informim me të rinjtë dhe studentë të fakultetit të shkencave mjeksore, por edhe me mjekë dhe infermiere, shërbyes të grave që pritet të bëhen nëna ose kanë në plan të bëhen nëna.
Veprimtari të ngjashme u zhvilluan sot edhe në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, në përpjekje për informimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës mbi rrezikshmërinë e lartë të kësaj sëmundje si dhe për masat mbrojtëse ndaj saj.
Megjithë veprimtaritë sensibilizuese që organizohen herë pas here, është ende mjaft e ulët përqindja e popullatës që kryen vullnetarisht testin, çka bën që në Shqipëri të mos ketë tregues të saktë mbi nivelin e popullatës të prekur me HIV-AIDS. Gjatë periudhës së këtij viti, janë diagnostikuar me HIV-AIDS 75 përsona, ndërkohë që një viti më parë, në vitin 2013, u rregjistruan 124 përsona të prekur nga kjo sëmundje. Në Shqipëri, shumica e rasteve diagnostikohen në fazën kur sëmundja ka avancuar, ndërkohë që shqetësim përbëjnë rastet e trasmetimit të HIV-AIDS nga nana tek fëmija gjatë periudhës së shtatzanisë.