Lidhje

Thaçi: Vendimi për Jabllanoviçin nuk u mor nga presioni


Intervistë me Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:34 0:00

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm të Kosovës, zotin Hashim Thaçi ndodhet këto ditë në Uashington për të marrë pjesë në mëngjezin tradicional të lutjeve. Zoti Thaçi ishte i fituar në programin televiziv “Ditari” ku ai foli mes të tjerash, për ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë: protestat e dhunshme të opozitës, largimin nga qeveria e Kosovës të ministrit serb Aleksandar Jabllanovic dhe për fatin e kompleksit të Trepçes.

Intervistë me Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:34 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi para se të kalojmë tek zhvillimet në Kosovë desha të di reagimin tuaj lidhur me ndodhinë e shëmtuar të ditës së djeshme kur u njoftua vrasja e një piloti jordanez nga grupi ISIS. Kosova dihet që ka dhjetra shtetas të saj në radhët e këtij grupi.

Hashim Thaçi: Ngjarja e djeshme e djegies së pilotit jordanez nga pjestarët e ISIS-it është një ngjarje e shëmtuar, barbare, është një ngjarje që duhet të na mobilizojë të gjithëve edhe më tepër, është një argument që duhet ta fuqizojë edhe më tepër koalicionin anti-terrorist të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në këtë drejtim unë dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta popullit jordanez. Jordania ka qënë prej vendeve të para që e ka njohur Republikën e Kosovës, prandaj dëshiroj të theksoj se Kosova do të vazhdojë të mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftën kundër fondamentalizmit dhe terrorizmit. Për neve është jashtëzakonisht me rëndësi vlerësimi që sekretari Kerry ka bërë për Kosovën që është lidere në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit në rajon, prandaj me të gjitha përkushtimet tona institucionale do të jemi pjesë e koalicionit të luftës kundër fondamentalizmit dhe terrorizmit. Në një të ardhme shumë të afërt do të marrim pjesë edhe një takim të ministrave të vendeve të koalicionit anti-terrorist. Dëshiroj gjithashtu të theksoj se Kosova tashmë e ka kaluar ligjin që parandalon pjesëmarrjen e qytetarëve në luftrat e huaja, kërkohet edhe leximi dy në parlamentin e Kosovës, dhe do ta kemi të plotë edhe bazën legale për të vazhduar këtë betejë kundër së keqes. Ne kemi marr veprime kontrete gjatë pjesës së dytë të verës së kaluar, prandaj do të vazhdojmë të jemi të zotuar, të pakompromentuar në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi që dje, ministri serb në qeverinë e Kosovës, zoti Jabllanoviç nuk është më pjesë e kësaj qeverie, pas një shprehjeje që ai tha në adresë të popullësisë së Gjakovës. Përse nuk u veprua më shpejt në këtë qëndrim, ndërkohë që gjatë ditëve të mëparshme u zhvilluan protesta të dhunshme që u nxitën pikërisht nga kjo thënie e ministrit serb.

Hashim Thaçi: Është mirë që ministri Jabllanoviç nuk është më pjesë e qeverisë. Vendimi i kryeministrit, zotit Mustafa është vendim i drejtë, është veprimi i duhur në përputhshmëri me rrethanat që u krijuan në Kosovë duke respektuar kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë, duke marrë parasysh rrethanat e ndryshme të brendshme dhe të jashtme, por edhe të fqinjësisë së mirë. Kosova është vend sovran dhe i pavarur, me institucione legjitime të një shteti funksional. Nuk është vendim kundër komunitetit serb por është vendim pas një deklarate të papranueshme për gjithë qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit, kështu që qeveria do të vazhdojë punën, do të jetë qeveri stabile, do të jetë efektive dhe do të jetë e përkushtuar në axhendën e planifikuar. E ritheksoj, vendimi nuk është marrë nën presionin e asnjë subjekti, por është marrë në përputhshmëri me përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore të opinionit publik në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Jabllanoviç u shpreh pas vendimit të djeshëm se partia e tij, "Lista Serbe" do ta rishikojë të qënit në qeverinë e Kosovës. Nëse kjo parti do të dilte nga qeveria, çfarë ndikimi do të ketë kjo tek miratimi i disa ligjeve të rëndësishme për Kosovën, që kërkojnë dy të tretat.

Hashim Thaçi: Besoj se një largim i tillë nuk do të ndodhë, nuk ka arsye që të ndodhë. Pjesëmarrja e serbëve në institucionet e vendit është e përcaktuar qartë në kushtetutë, në ligjet e Kosovës. Ne jemi duke punuar bashkarisht për Kosovën e re, Kosovën evropiane, Kosovën e përbashkët si atdhe i gjithë qytetarëve të saj. Vendimi i kryeministrit Mustafa nuk është i drejtuar kundër komunitetit serb, por është një vendim në kuadër të mandatit kushtetues, ligjor dhe përgjegjësisë politike, prandaj edhe mund të them lirisht se zoti Jabllanoviç i ka bërë dëmin më të madh komunitetit serb në Kosovë me një deklaratë të pamatur. Kështu që ne të gjitha energjitë do t’i fokusojmë në gjetjen e një gjuhe të përbashkët për të punuar bashkarisht edhe në qeveri, edhe në kuvend, sidomos pas suksesit të madh që kemi arritur pas marrëveshjes së Brukselit, ku u krijuan kushtet që edhe serbëve që jetojnë në veri të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kështu që unë kam besim që do të vazhdojmë me përkushtime të përbashkëta të institucioneve multietnike të Kosovës , qoftë në nivelin e parlamentit, qeveri apo në nivel lokal.

Zëri i Amerikës: Ndër kërkesat e opozitës në protestat e dhunshme që u zhvilluan para pak ditësh ka qënë edhe çështja e fatit të kompleksit të Trepçes. Çfarë po ndodh me këtë minierë, si do të shkohet më tutje ?

Hashim Thaçi: Trepçja është e Kosovës. Është pronë e Kosovës. Shteti i Kosovës do të punojë sipas standarteve bashkëkohore, në bazë të kritereve më të mira të përvojave të vendeve të tjera në raste të tilla. Ne jemi të përcaktuar si shtet me ekonomi të lirë të tregut dhe konkurrencës. Natyrisht të largojmë sa më tepër ndikimin e qeverisë apo të shtetit në ekonomi apo thjesht në ekonominë e centralizuar. Me rendësi është që e kemi shpëtuar Trepçen nga falimentimi me anë të një vendimi të një gjykate në Prishtinë. Tani do të kemi kohë për riorganizimin ku do të merren parasysh mendimet e ekspertëve dhe të opozitës. Pra është një çështje që duhet ta zgjidhim bashkërisht dhe që nuk duhet politizuar. Një zgjidhje që krijon një bazë të fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Kosovës që mundëson krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqënies. Kjo çështje nuk duhet të politizohet por të shikohet si një përkushtim i përbashkët i të gjithë spektrit politik dhe më gjërë. Është me rendësi që ky kompleks të vazhdojë punën.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ka patur një largim të dukshëm të të rinjve nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian, një largim ky i brezit të ri të Kosovës që shihet si reagim ndaj kushteve brenda vendit, ndaj papunësisë dhe korrupsionit. Përse qeveria nuk ka marrë masa më energjike për ta parandaluar këtë gjendje ?

Hashim Thaçi: Për fat të keq, ne kaluam një ngërç politik gjashtë mujor dhe sot duhet t’i paguajmë disa prej atyre çmimeve të vonesës. Një prej atyre çmimeve që po paguajmë është ky fenomen i asaj bllokade politike të panevojshme pas organizimit të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike të qershorit. Një fenomen i tillë nuk po ndodh vetëm në Kosovë por u ka ndodhur edhe vendeve të tjera të rajonit sidomos në prag të procesit të liberalizimit apo menjëherë pas liberalizimit. Sepse njerëzit mendojnë se i pret një mrekulli në vendet perëndimore. Jemi duke punuar maksimalisht në të gjitha institucionet e vendit që të frenojmë këtë fenomen shqetësues. Jemi duke punuar me vendet e Bashkimit Evropian ku ata janë strehuar aktualisht, që të punojmë për rikthimin e tyre. Të gjithë ata që kanë shkuar do të rikthehen sidomos pas arritjes së marrëveshjeve për kalime përmes territorit të Serbisë për tu rikthyer në Kosovë. Kemi një fenomen shumë interesant, sepse Serbia ka hapur portën për largimin e tyre por nuk po lejon kthimin e tyre. Serbia ka detyrime ndërkombëtare që të lejojë transportin përmes territorit të Serbisë.

XS
SM
MD
LG