Lidhje

Raport: Ecuria e integrimit evropian dhe reformat


Në Tiranë, Lëvizja Europiane e Shqipërisë publikoi një raport mbi ecurinë e integrimit, sa i takon gjendjes së drejtësisë dhe reformimit të saj.

Studiuesit folën me shqetësim për vonesat e vettingut dhe reformës gjyqësore, si një kërkesë e Bashkimit Europian dhe opinionit vendas.

Lëvizja Europiane e Shqipërisë, e mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer, publikoi sot një raport monitorimi mbi ecurinë e Tiranës zyrtare në procesin e integrimit drejt bE-së mbi kapitujt, që i përkasin sistemit gjyqësor dhe lirive njerëzore.

Raporti, që mbulon vitin 2017, përmban një seri gjetjesh dhe rekomandimesh problematike, që kanë të bëjnë me vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi.

Ekspertët pohuan se këto dy kapituj 23-24 mbi drejtësinë, gjykatat dhe liritë njerëzore janë të panegociueshëm, sepse në to përcaktohen standartet demokratike, që Shqipëria duhet t’i ketë domosdo.

Shteti në tërësi, sipas tyre ka bërë përpjekje për të reformuar sistemin gjyqësor, ndonëse ende nuk ka nisur në praktikë zbatimi i saj.

Për sistemin gjyqësor janë parashikuar 2 rekomandime dhe 5 masa mbi miratimin dhe zbatimin e legjislacionit përkatës, krijimin e organeve të verifikimit (vetting-ut) dhe nxjerrjen e rezultateve fillestare në procesin e ri-vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Niveli i zbatimit të tyre deri në shtator të 2017 është i pjesshëm, pasi asnjë masë nuk është realizuar plotësisht” - tha Gledis Gjipali, drejtues i Lëvizjes Europiane të Shqipërisë.

Kuvendi ka miratuar 21 ligje, 14 projektligje të tjera do të miratohen gjatë legjislaturës së re, por mbetet për t`u vlerësuar në të ardhmen zbatimi i tyre në praktikë dhe efektet, të cilat do të sjellin përmirësimin e sistemit të drejtësisë, vlerëson raporti.

Organet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë si, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Emërimeve nuk janë krijuar, si dhe procesi i përzgjedhjes dhe zgjedhjes së anëtarëve të tyre nuk ka përfunduar ende, duke krijuar një situatë bllokimi në të gjithë sistemin e drejtësisë.

“Të gjitha afatet e parashikuara në dispozitat kalimtare kanë kaluar, duke krijuar një situatë të paqartë në lidhje me funksionimin dhe ushtrimin e kompetencave nga ana e organeve të mëparshme të sistemit të drejtësisë gjatë periudhës kalimtare deri në krijimin e organeve të reja kushtetuese” - thuhet në raport.

Si pasojë e mosngritjes së organeve të reja të sistemit të drejtësisë, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë mungesa të gjyqtarëve në përbërje të tyre.

Gjykata Kushtetuese ka në përbërje të saj 7 gjyqtarë nga 9 gjithsej, pasi dy gjyqtarëve të kësaj gjykate iu ka mbaruar mandati dhe janë larguar nga detyra.

Një gjyqtari tjetër i ka mbaruar mandati, por vazhdon të qëndrojë në detyrë.

Për Gjykatën e Lartë mungesa e trupës gjyqësore ka sjellë si pasojë vështirësi në funksionimin e saj, e cila përbëhet nga 19 anëtarë.

Gjykata funksionon me një trupë prej 10 anëtarësh, dy prej të cilëve i ka mbaruar mandati.

Kuvendi ka zgjedhur anëtarët për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) dhe Komisionerët publikë (KP), por rezultatet fillestare në procesin e ri-vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve akoma nuk kanë realizuar.

804 gjyqtarë e prokurorë kanë dorëzuar formularët përkatës për vlerësimin mbi pasurinë, integritetin moral dhe profesional.

Vetëm 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 3 këshilltarë ligjorë pranë Gjykatës së Lartë kanë zgjedhur të mos i nënshtrohen procesit të rivlerësimit.

Procesi i vlerësimit të performancës së gjyqtarëve nuk ka përparuar, si dhe janë shfaqur vonesa të konsiderueshme në zhvillimin e tij.

Mjetet digjitale audio të regjistrimit të seancave gjyqësore janë instaluar në të gjitha gjykatat, por nuk mungojnë rastet kur gjyqtarë të veçantë dyshohet se refuzojnë qëllimisht ta përdorin atë.

Gjykata e Tiranës, ajo e Elbasanit, gjykata e Durrësit apo disa gjykata administrative kanë një nivel minimal të regjistrimit të seancave gjyqësore.

Gjykata e Tiranës përballet prej vitesh me mungesën e sallave të nevojshme të gjyqit, çka reflekton edhe nivelin e ulët të kryerjes së regjistrimeve audio në të.

Aksesi në internet mbetet ende jo i plotë, si dhe nuk ka asnjë sistem të unifikuar për kërkimin e të dhënave mbi bazë indeksi tematik apo kohor, për të gjitha gjykatat.

Faqet web të gjykatave të rretheve gjyqësore, si dhe atyre të apelit nuk ofrojnë më përmbajtjen e vendimeve gjyqësore, por vetëm të dhëna mbi çështjen gjyqësore.

Nga ana e gjykatave kanë filluar të respektohen parashikimet ligjore mbi përpunimin dhe publikimin e të dhënave personale në sistemin gjyqësor.

Një shqetësim i vazhdueshëm mbetet kohëzgjatja e gjykimeve në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën e Apelit Administrativ Tiranë.

Gjykata e Lartë, e cila duhej të kishte 19 gjyqtarë, funksionon me 10 gjyqtarë, si dhe aktualisht janë në pritje për t’u gjykuar rreth 19000 dosje.

Gjatë vitit 2016 janë trajtuar nga Gjykata e Lartë rreth 7500 dosje (një rritje prej 3100 dosje nga viti 2015), si dhe priten ende për t`u gjykuar 12.000 dosje civile, 5000 dosje administrative dhe 2000 dosje penale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG