Lidhje

Pete Buttigieg largohet nga gara për president


Pete Buttigieg i dha fund garës brenda demokratëve për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e sivjetme.

Duke folur para mbështetësve të tij të dielën, ish kryebashkiaku i qytetit South Bend në Indiana, tha se mori “vendimin e vështirë” për t’u larguar nga gara.

Ai nuk mbështeti asnjërin nga kandidatët e mbetur, por u zotua “të bëj gjithë çfarë është në fuqinë time” për ta parë një demokrat në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2021.

Pete Buttigieg, ishte kandidati i parë i hapur homoseksual për president të Shteteve të Bashkuara. Ai tha se shpreson të ketë dërguar një mesazh te çdo fëmijë “i veçuar si i ndryshëm” se mund të bëhet kandidat presidencial me “burrin përkrah”.

Pete Buttigieg doli i katërti në zgjedhjet paraprake të së shtunës në Karolinën e Jugut, duke mos fituar asnjë delegat. Fushata e tij u duk e fortë në Iowa dhe në New Hampshire, por më pas ai doli keq na Karolinën e Jugut ku zgjedhjet paraprake i fitoi ish nënpresidenti Joe Biden.

Zoti Biden e cilësoi kandidaturën e zotit Buttigieg si “fushatë më gjurmë historike”, ndërsa ish kryebashkiaku i New Yorkut, Mike Bloomberg, tha se fushata e zoti Buttigieg e bëri Partinë Demokratike "më të fortë dhe kombin tonë më të mirë".

Senatorja nga Massachusetts, Elizabeth Warren dhe senatorja e Minnesotas, Amy Klobuchar, thanë se zoti Buttigieg do t’i shërbej vendit për shumë vjet. Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders po ashtu lavdëroi zotin Buttigieg se ka bërë histori dhe udhëhoqi një fushatë të fortë.

Kandidatët do të përballen me një provë të vështirë të martën në zgjedhjet që do të mbahen në 14 shtete.

Sipas anketave, zoti Biden kryeson në shtatë shtete, Bernie Sanders në gjashtë, ndërsa zonja Klobuchar kryeson në shtetin e saj.

E marta gjithashtu do të shënojë herën e parë që emri i zotit Bloomberg do të shfaqet në fletëvotime, pasi që ai anashkaloi votimet në katër shtetet e para muajin e kaluar.

XS
SM
MD
LG