Qeveria e Kosovës, miratoi të hënën mbrëma kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.
Qeveria tha se diskutoi në mbledhje kërkesën e shtruar nga ministria e Brendshme dhe “e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”.
Autoritetet në Kosovë thanë të dielën se do të strehojnë refugjatë afganë, një kërkesë e bërë që më 16 korrik nga qeveria amerikane dhe se një grup punues i qeverisë po merret me çështjet organizative bashkë me partnerët amerikanë, por çështja ishte diskutuar siç u tha, në mirëbesim.
Më herët të hënën ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se është duke punuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan që të kthehen në shtëpi.
Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet se deri në mesditën e së hënës, është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar.
Ministria u bëri thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës në Afganistan që të lajmërohen për të marrë sa më parë udhëzimet dhe ndihmën e duhur.
Kjo ministri tha se mbetet e përkushtuar që së bashku me partnerët ndërkombëtar të ofrojë të gjitha mjetet në dispozicion deri në evakuimin e të gjithë shtetasve të Kosovës nga Afganistani.
Facebook Forum