Lidhje

Engel dhe Menendez, të shqetësuar me qasjen amerikane ndaj Kosovës dhe Serbisë


Ligjvënësi Eliot Engel dhe senatori Bob Menendez, u shprehën të hënën të shqetësuar me faktin se Shtetet e Bashkuara ushtruan trysni mbi qeverinë e Kosovës për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe, por nuk po ushtrojnë trysni të duhur mbi Beogradin për të ndalur fushatën e tij kundër pavarësisë së Kosovës.

Engel dhe Menendez, të shqetësuar me qasjen amerikane ndaj Kosovës dhe Serbisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Në një letër dërguar Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, ata shprehën shqetësimin e tyre mbi qasjen e administratës së presidenti Donald Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një qasje më të rëndë ndaj qeverisë së zgjedhur të Kosovës”, thuhet në letrën e Kryetarit të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel dhe anëtarit të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez.

Administrata e presidentit Trump i ka kërkuar qeverisë së Kosovës të heqë tarifat ndaj Serbisë, në mënyrë që të rihapet dialogu me Serbinë drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë - Serbi.

Në fund të muajit shkurt, në takimin që pati me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Sekretari i Shtetit Michael Pompeo ritheksoi "partneritetin e fortë mes të dy vendeve dhe mbështetjen e Uashingtonit për një Kosovë të pavarur dhe sovrane", duke theksuar se Uashingtoni pret që qeveria e re e Kosovës të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, "si një hap jetik drejt rifillimit të negociatave për një normalizim të përgjithshëm të marrëdhënieve" mes dy vendeve.

Dy ligjvënësit amerikanë theksuan se Kosova është një aleate dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ndjekin një qasje më konstruktive dhe më të durueshme ndaj qeverisë së zgjedhur në Prishtinë.

Ata përmendën trysninë e madhe që Shtetet e Bashkuara kanë ushtruar ndaj Kosovës për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe. “Ndërsa ne jemi dakord që tarifat e Kosovës ndaj mallrave serbe, që tashmë janë pezulluar, kryesisht kanë dëmtuar Kosovën dhe qytetarët e saj, ky mjet është përdorur nga shumë qeveri të botës, shpesh përfshirë Administratën Trump. Ne jemi të shqetësuar se Administrata Trump ka vendosur ndëshkime financiare mbi qeverinë e Kosovës, disa javë pasi ajo kishte ardhur në pushtet”, thuhet në letër duke ju referuar vendimit të qeverisë amerikane për të pezulluar fondet e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën për shkak të mos heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe.

Ligjvënësit Engel dhe Menendez i bënë thirrje administratës Trump që të rifillojë zbatimin e projekteve të kësaj Korporate për Kosovën.

Çështja e tarifave çoi në humbjen e votëbesimit të qeverisë së Kosovës më 25 mars.

Gjatë debatit në parlamentin e Kosovës, kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti u shpreh se “ka marrëveshje të gatshme”, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shkëmbim territoresh.

Një ditë më pas në një deklaratë të përbashkët, ambasadori Richard Grenell i dërguar presidencial për bisedimet e paqes Kosovë - Serbi, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, theksuan se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë.​

Në letrën e ligjvënësve Engel dhe Menendez drejtuar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo shprehet edhe shqetësimi se Uashingtoni nuk po ushtron trysni të mjaftueshme mbi Beogradin. Ata theksojnë në letër se“mungesa e balancës së Administratës Trump kundruall Prishtinës dhe Beogradin po ndodh në kontekstin e zgjerimit të lidhjeve të Serbisë me Moskën dhe rritjen e importit të armëve ruse”.

Në janar, në takimin me kandidatin për kryeministër Albin Kurti, i dërguari i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi Richard Grenell, theksoi se Kosova duhet të hiqte tarifat dhe Serbia të ndalte fushatën ndpërkombëtare kundër Kosovës.

Ligjvënësit Engel dhe Menendez përshëndetën rritjen e angazhimit të Departamentit të Shtetit, përfshirë përpjekje për arritjen e marrëveshjeve të fundit për udhëtimet mes Kosovës dhe Serbisë, por ata i bën thirrje administratës “që në ditët e ardhshme të shmangin taktikat e pabalancuara të dorës së fortë ndërsa punon me Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes që pasqyron vullnetin e qytetarëve të të dyja vendeve”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG