Lidhje

Lufta në Ukrainë nxit rritjen e shpenzimeve për mbrojtje të BE


Ndërsa Rusia vazhdon sulmin ndaj Ukrainës, sot dhe nesër udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian zhvillon një takim ku pritet të deklarojë pavarësinë energjetike të bllokut nga Rusia dhe të forcojë mbrojtjen kolektive. Bashkimi Evropian është një nga ekonomitë kryesore të botës, por a mund të jetë në të njëjtën pozitë edhe sa i përket ushtrisë?

Një shekull më parë në Pallatin e Versajës, udhëheqësit nënshkruan traktatin që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Por po ashtu u hodhën edhe themelet e Luftës së Dytë Botërore.

Në Versajë zhvillohet edhe takimi i kësaj jave i krerëve të Bashkimit Evropian. Ata shpresojnë të shmangin një luftë tjetër të madhe në kontinent – kryesisht përmes forcimit të kapacitetece ushtarake të bllokut prej 27 anëtarësh.

Mbrojtja e fortë evropiane është një synim i hershëm i presidentit francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit mban presidencën aktuale të BE-së. Në një fjalim javën e kaluar, ai tha se Evropa nuk mund të jetë e varur nga vullneti i të tjerëve nëse duan ta mbrojnë atë.

Para fillimit të sulmit rus në Ukrainë, mbrojtja nuk ishte përparësia kryesore për udhëheqësit evropianë.

“Shpërthimi i luftës në Ukrainë shkaktoi një tronditje në ndërgjegjen evropiane rreth përgjegjësive që ka ndaj këtij vendi. Ndoshta evropianët po e kuptojnë se duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen”, thotë për Zërin e Amerikës Sebastien Maillard, drejtor i Institutit “Jacques Delors”.

Vendet evropiane, duke përfshirë edhe ato neutrale si Suedia, po dërgojnë armë dhe pajisje tjera ushtarake në Ukrainë. Në një lëvizje të re, BE-ja në tërësi po financon blerjen e armëve për një vend që është sulmuar.

Disa anëtarë të BE-së që nuk janë pjesë e NATO-s po shqyrtojnë anëtarësimin në aleancën transatlantike. Shumë prej këtyre vendeve po shtojnë për herë të parë në vite shpenzimet për mbrojtjen. Për Gjermaninë, ky është ndryshim i madh i politikës së pasluftës së Dytë Botërore.

“Siguria dhe mbrojtja evropiane ka përparuar më shumë gjatë gjashtë ditëve të fundit sesa në dy dekadat e fundit”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

Ndryshimet mbështeten edhe nga të tjerët. Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje prej kohësh që të shtohen shpenzimet për mbrojtjen e NATO-s. Por BE-ja është duke hartuar një strategji ushtarake të pavarur nga Uashingtoni. Udhëheqësit, si zoti Macron, thonë se kjo plotëson NATO-n. Por ekspertët mendojnë se nisma u formësua gjatë marrëdhënieve të ndërlikuara të BE-së me administratën Trump dhe dallimeve mbi tërheqjen amerikane nga Afganistani.

“E kuptuam se ndoshta amerikanët nuk do të jenë gjithmonë afër për të na mbrojtur dhe se duhet të kujdesemi për sigurinë tonë”, thotë analisti Maillard për Zërin e Amerikës.

Të tjerë ngrejnë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e këtyre planeve.

“Jam i matur. Nuk them se duhet të nënvlerësojmë deklaratat e udhëheqësve gjermanë dhe të tjerëve gjatë javëve të kaluara, por mendoj se është herët për të thënë se Evropa është zgjuar”, thotë Martin Quencez nga zyra në Paris e Fondit gjerman Marshall.

Ekspertët thonë se Evropës i duhen vite për të ndërtuar mbrojtjen e saj, periudhë shumë e gjatë për të pasur ndonjë ndikim në luftën e sotshme në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG