Lidhje

Lajmet e luftës në Ukrainë dhe efekti tek fëmijët


Ndërsa sulmi rus në Ukrainë hyn në muajin e dytë, mediat sociale dhe televizioni vazhdojnë të transmetojnë vazhdimisht imazhe dhe lajme shqetësuese rreth konfliktit. Kjo po ngre shqetësime në lidhje me efektin që pamjet e tmerrshme nga lufta në Ukrainë mund të kenë tek shëndeti mendor i fëmijëve.

Lajmet e luftës në Ukrainë dhe efekti tek fëmijët
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:29 0:00

Psikologët paralajmërojnë se lajmet dhe pamjet filmike që vijnë nga agresioni rus në Ukrainë mund të kenë efekte jashtëzakonisht të rënda tek shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve, duke shkaktuar ankth ekstrem, nervozizëm, çrregullime të të ngrënit apo pagjumësi. Ata thonë se kjo vlen si për fëmijët në mesin e betejës apo diku tjetër në botë. Zëri i Amerikës bisedoi përmes rrjetit Zoom me psikologun e fëmijëve Jeffrey Shahidullah.

“Shqetësimi është më i madh për fëmijët e vegjël, sepse ata e kanë të vështirë ta bëjnë dallimin mes vetvetes dhe asaj që po u ndodh fëmijëve në vende të tjera të botës.”

Psikologët thonë se pavarësisht nga mosha e fëmijës, është e rëndësishme dhe e nevojshme që të bisedohet me ta për luftën.

“Është e rëndësishme që prindërit ta kuptojnë se fëmijët do të dëgjojnë për luftën, por duhet siguruar që lajmet të jenë të kuptueshme për moshën e tyre. Nëse lajmet shkojnë përtej nivelit të zhvillimit të tyre, ose nuk janë të pranueshme për prindërit, atëherë kjo do të ndikojë tek shëndeti mendor i fëmijës si, ankthi, nervozizmi, apo madje ndryshime tek oreksi dhe gjumi”, thotë pediatri Jeffrey Shahidullah.

Ukrainasja Tatiana Butler ka 13 vjet që jeton në Shtetet e Bashkuara me dy djemtë e saj dhe bashkëshortin. Por prindërit, vëllezërit dhe motrat e saj jetojnë në Ukrainë. Ajo tregon për Zërin e Amerikës se është shumë e dhimbshme t’u japësh përgjigje pyetjeve të fëmijëve se pse po vriten njerëz në Ukrainë.

“Ata nuk mund ta kuptojnë se pse gjyshja dhe gjyshi i tyre ishin fshehur në bodrum, pse shohim nga lajmet shtëpi dhe makina të shkatërruara. Si nënë, është shumë e dhimbshme t’u tregoj fëmijëve këto imazhe, por e kuptoj se duhet t’u tregoj atyre se çfarë po ndodh.”

Por situata ofron gjithashtu një mundësi për t’u mësuar fëmijëve se si të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Djali i saj 10-vjeçar, pikturoi një pankartë në mbështetje të Ukrainës dhe bashkë me vëllain tjetër dhe prindërit morën pjesë në një protestë në kryeqytetin amerikan, Uashington.

“Kur ndjek lajmet dhe shoh ushtrinë ruse që sulmon njerëzit e zakonshëm, ndjej shumë zemërim. Duam paqe. Dhuna dhe lufta nuk janë të nevojshme”, thotë 10-vjeçari Vitaly.

Rusja Nina Davis, e cila jeton në Nju Xhersi, thotë se për të ishte shumë e rëndësishme të bisedonte me djalin e saj 15-vjeçar lidhur me agresionin rus në Ukrainë.

“Ishte e rëndësishme për mua të sigurohesha që ai të mos ndihet i turpëruar personalisht, sepse unë dhe ai nuk jemi fajtorë. Jo të gjithë rusët janë të këqinj”, thotë për Zërin e Amerikës rusja Nina Davis.

Diskutimi dhe mbështetja janë veçanërisht të rëndësishme për fëmijët në frontin e luftës, të cilët shohin gjëra të tmerrshme, që asnjë fëmijë nuk duhet të shohë kurrë, thotë psikologu Jeffrey Shahidullah.

“Përbën rrezik të madh për mirëqenien emocionale dhe sjelljen e fëmijëve, por si mund të balancohet kjo? Patja e një familje dhe prindërve të dashur, të kujdesshëm, që ofrojnë mbështetje, mes të gjitha ndryshimeve dhe pasigurive, do të bënte që disa gjëra të jenë sa më të parashikueshme”.

Por mbi të gjitha, thonë psikologët, prindërit duhet ta vënë theksin si për veten e tyre ashtu edhe për fëmijët, se në mënyrë të pashmangshme, lufta merr fund.

XS
SM
MD
LG