Lidhje

Vendet e NATO-s nënshkruajnë protokollet e anëtarësimit për Suedinë dhe Finlandën


Përfaqësuesit e 30 vendeve anëtare të NATO-s nënshkruan sot protokollet e anëtarësimit për Suedinë dhe Finlandën, duke hedhur edhe një hap drejt zgjerimit të aleancës. Hapi i radhës është miratimi i protokolleve nga parlamentet e vendeve anëtare. Por pavarësisht marrëveshjes në aleancë, miratimi parlamentar në Turqi mund të zvarritet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se nënshkrimi i protokolleve për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës është një ditë historike jo vetëm për vendet nordike, por edhe për aleancën dhe sigurinë euro-atlantike.

"Presidenti rus Vladimir Putin u mundua të mbyllë dyert e NATO-s, por ne po dëshmojmë se dyert e NATO-s janë të hapura”, tha zoti Stoltentberg në një konferencë shtypi, ndërsa përgëzoi vendet anëtare të NATO-s që lëvizën me kaq shpejtësi.

Miratimi i protokolleve mundëson pjesëmarrjen e Suedisë dhe Finlandës në mbledhjet e NATO-s dhe qasje më të madhe në të dhënat e zbulimit.

Por dy vendet nordike ende nuk mund të përfitojnë nga siguria kolektive që ofron klauzola e NATO-s që thotë se sulmi ndaj një aleati, konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.

Hapi i radhës drejt zgjerimit të aleancës është miratimi i protokolleve nga parlamentet e të 30 vendeve anëtare.

Zoti Stoltenberg u kërkoi aleatëve që t’i ratifikojnë me shpejtësi protokollet ndërsa vendet nordike i siguroi për mbështetjen e NATO-s gjatë procesit të anëtarësimit të plotë.

“Siguria e Finlandës dhe Suedisë është e rëndësishme për aleancën tonë, duke përfshirë edhe kohën gjatë procesit të ratifikimit”, tha ai.

Procesi i ratifikimit mund të marrë deri në një vit.

“Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë nuk do të kontribuojë vetëm për sigurinë tonë, por edhe sigurinë kolektive të aleancës”, tha ministri i jashtëm finlandez Pekka Haavisto.

Nënshkrimi i protokolleve vjen pas marrëveshjes mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Madrid javën e kaluar. Por pavarësisht marrëveshjes në aleancë, miratimi parlamentar në Turqi mund të paraqesë ende probleme për anëtarësimin e dy vendeve.

Udhëheqësi turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi se Ankaraja ende mund të bllokojë procesin, nëse të dy vendet nuk përmbushin plotësisht kërkesën e Turqisë për të ekstraduar të dyshuarit për terrorizëm, që kanë lidhje me grupet e jashtëligjshme kurde ose rrjetin e një kleriku në mërgim, i akuzuar për grushtin e dështuar të shtetit në Turqi në vitin 2016.

"Do ta respektojmë plotësisht memorandumin. Sigurisht, nuk kemi lista specifike ekstradimesh, numra ose diçka të ngjashme në memorandum. Por ajo që do të bëjmë është rritja e bashkëpunimit kur bëhet fjalë për terrorizëm dhe ndarje informacioni”, tha ministrja e jashtme e Suedisë Ann Linde.

Agresioni rus në Ukrainë i ka dhënë procesit të anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës një urgjencë më të madhe, ndërsa bashkimi i të dy vendeve në aleancën ushtarake perëndimore do t'i sigurojë NATO-s më shumë ndikim, veçanërisht përballë kërcënimit ushtarak të Moskës.

Kremlini i ka paralajmrëruar vazhdimisht të dyja vendet kundër anëtarësimit në NATO. Më 12 mars, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se “do të ketë pasoja të rënda ushtarake dhe politike”.

XS
SM
MD
LG