Lidhje

Rusia përcakton si organizatë terroriste regjimentin ukrainas Azov


Gjykata e Lartë e Rusisë shpalli të martën regjimentin Azov të Ukrainës si organizatë terroriste, një përcaktim që mund të çojë në ngritjen e akuzave për terrorizëm kundër disa prej luftëtarëve të kapur pas rezistencës së tyre brenda fabrikës së shkatërruar të çelikut në Mariupol.

Dhjetëra luftëtarë të regjimentit “Azov” po mbahen të burgosur nga Moska që nga dorëzimi i tyre në mes të majit. Autoritetet ruse kanë ngritur çështje penale kundër tyre, duke i akuzuar ata për vrasje të civilëve. Shtimi i akuzave për terrorizëm mund të nënkuptojë dënime edhe më të gjata me burgim.

Dënimet për udhëheqësit e një organizate terroriste mund të jenë nga 15 deri në 20 vjet burg, ndërsa për pjesëtarët e grupit 5 deri në 10 vjet burg, tha shtypi shtetëror rus.

Në vendimin e saj, Gjykata e Latë ndaloi regjimentin Azov në Rusi. Kjo mund të sjellë shpalljen e jashtëligjshme të regjimentit në zonat e Ukrainës që janë pushtuar nga forcat ruse ose që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska, nëse ato zona ndjekin planet për t’iu bashkuar Rusisë.

Në një deklaratë, regjimenti Azov hodhi poshtë vendimin, duke akuzuar Kremlinin se “po kërkon justifikime të reja për krimet e luftës të kryera në Ukrainë”. Batalioni u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve tjera që ta shpallin Rusinë një shtet terrorist.

Ushtarët e regjimentit Azov luajtën rol kyç në mbrojtjen e Mariupolit, duke rezistuar për javë të tëra në fabrikën e çelikut të qytetit port në jug të Ukrainës, pavarësisht sulmeve të ashpra të forcave ruse. Presidenti i Ukrainës i shpalli ata dhe njësitet tjera që qëndruan në fabrikë heronj.

Moska e ka portretizuar vazhdimisht regjimentin Azov si një grup nazist, duke akuzuar ata për mizori, megjithëse nuk ka ofruar asnjë provë për të mbështetur pretendimet e saj. Në maj, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë paraqiti mocionin për cilësimin e regjimentit si një organizatë terroriste.

Azov, njësia në kuadër të Gardës Kombëtare të Ukrainës, ka një histori të veçantë. Ai u krijua nga një grup i quajtur “Batalioni Azov”, i formuar më 2014 si një nga shumë brigadat vullnetare për të luftuar separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore.

“Batalioni Azov” tërhoqi luftëtarët e parë nga qarqet e ekstremit të djathtë dhe u kritikua për disa nga taktikat e tij. Anëtarët aktualë të regjimentit mohojnë akuzat për ekstremizëm.

Origjina e regjimentit nga një grup i së djathtës ekstreme shfrytëzohet nga Kremlini në kuadër të përpjekjeve të tij për ta arsyetuar sulmin si një betejë kundër ndikimit nazist në Ukrainë.

Media shtetërore ruse ka raportuar në mënyrë të përsëritur për ato që pretendonte se ishin shenja, literaturë dhe tatuazhe naziste të lidhura me regjimentin.

Javës që shkoi, dhjetëra të burgosur ukrainas, duke përfshirë luftëtarët që mbrojtën fabrikën e çelikut në Mariupol, u vranë në një shpërthim në burgun e një kazerme në Olenivka, një qytet lindor i kontrolluar nga separatistët pro-rusë. Moska dhe Kievi fajësuan njëra-tjetrën për shpërthimin. Kievi tha se Rusia bombardoi kazermat për të mbuluar torturat kundër të burgosurve.

Ndërkohë, anija e parë e transportimit të mallrave që u largua nga portet ukrainase që kur Rusia sulmoi më shumë se pesë muaj më parë, të martën po lundronte brigjeve të Bullagrisë, ndërsa po shkonte drejt Stambollit dhe destinacionit përfundimtar, Libanit.

Kjo është prova e parë e një marrëveshjeje të nënshkruar muajin e kaluar nga Moska dhe Kievi, me qëllim të zhbllokimit të eksporteve bujqësore të Ukrainës dhe tlehtësimit të krizës globale të ushqimit.

Rreth 20 milionë tonë drithë kanë ngecur në Ukrainë nga fillimi i luftës. Marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB për zhbllokimin e grurit synon hapjen e korridoreve të sigurta përmes ujërave të minuara jashtë porteve të Ukrainës.

Anija Razoni, e cila u nis nga porti i Detit të Zi në Odesa të hënën me mbi 26 mijë tonë misër, pritet të arrijë të Stamboll herët të mërkurën, ku do të inspektohet ga zyrtarët rusë, ukrainas, turq dhe ata të OKB-së.

Vetëm në Odesa, të paktën 16 anije të tjera, të gjitha të bllokuara nga sulmi rus më 24 shkurt, po presin radhën për t’u nisur, njoftuan autoritetet ukrainase.

Çmimet globale të ushqimeve janë rritur në një krizë të shkaktuar si pasojë e luftës, problemeve globale të zinxhirit të furnizimeve dhe pandemisë COVID-19.

Megjithëse Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit kryesorë botërorë të grurit, elbit, misrit dhe vajit të lulediellit, marrëveshja nuk pritet të lë shumë gjurmë në krizën botërore të urisë.

Sipas David Labordes, ekspert në Institutin Ndërkombëtar të Politikave Ushqimore në Uashington, shumica e drithit të bllokuar në Ukrainë është për të ushqyer bagëtinë.

“Vetëm 6 milionë është grurë dhe vetëm gjysma e tyre është për konsum nga njeriu”, tha zoti Laborde. Ai shtoi se ngarkesa e anijes që u nis të hënën nga porti i Odesës është në fakt ushqim i pulave.

“Zhbllokimi i disa anijeve nga Ukraina nuk do të ndryshojë gjendjen”, tha ai.

Nisja e anijes nga një port në Odesa u bë mes luftimeve të vazhdueshme dhe të ashpra, veçanërisht në Ukrainën jugore dhe lindore.

XS
SM
MD
LG