Lidhje

Gjykata ruse dënon me 25 vjet burg kritikun e Kremlinit, Vladimir Kara-Murza 


Një gjykatë në Moskë dënoi të hënën me 25 vjet burg kritikun e Kremlinit, Vladimir Kara-Murza. Gjykata e shpalli atë fajtor për tradhëti dhe vepra të tjera penale. Zoti Kara-Murza i ka hedhur poshtë akuzat. Është dënimi më i ashpër i këtij lloji, që kur Rusia filloi agresionin ushtarak në Ukrainë vitin e kaluar.

Gjykata ruse dënon me 25 vjet burg kritikun e Kremlinit, Vladimir Kara-Murza
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00


Prokurorët, që kishin kërkuar 25 vjet burg për zotin Kara-Murza, e kishin akuzuar atë për tradhëti dhe diskreditim të ushtrisë ruse, pasi ai kritikoi sulmin e Moskës ndaj Ukrainës.

41 vjeçari Kara-Murza, baba i tre fëmijëve dhe politikan opozitar që ka shtetësi ruse dhe britanike, kishte kritikuar për vite me radhë Presidentin Vladimir Putin dhe u bëri thirrje qeverive perëndimore të vendosnin sanksione ndaj Rusisë dhe personave të caktuar për shkelje të të drejtave të njeriut.

Në një intervistë për televizionin CNN të transmetuar disa orë përpara se të arrestohej, zoti Kara-Murza kishte thënë se Rusia po drejtohej nga një "regjim vrasësish".

Në fjalimin e tij të fundit në gjykatë javën e kaluar, zoti Kara-Murza e krahasoi gjyqin e tij, i cili u mbajt me dyer të mbyllura, me gjyqet farsë të kohës së Josif Stalinit në vitet 1930 dhe refuzoi t'i kërkonte gjykatës ta lironte, duke thënë se ishte krenar për gjithçka që kishte thënë.

"Kriminelët duhet të pendohen për atë që kanë bërë. Unë nga ana tjetër jam në burg për pikëpamjet e mia politike. E di gjithashtu se do të vijë dita kur errësira mbi vendin tonë do të marrë fund", u shpreh ai.

Pas shpalljes së dënimit, avokatja e zotit Kara-Murza, Maria Eismont tha se dënimi nuk do të ishte dhënë nëse gjykata do të zbatonte ligjin, duke shtuar se fakti që ai është baba i tre fëmijëve të vegjël duhet të ishte një rrethanë zbutëse.

“Ky është maksimumi (i dënimit që mund të jepte gjykata) kështu që kam përshtypjen se po të mund ta dënonin më shumë, do ta kishin bërë. Por maksimumi i dënimit që mund të jepej, bazuar tek akuzat dhe duke pasur parasysh faktin se nuk kishte precedentë penalë, ishte 25 vjet dhe atë dënim i dhanë”, tha ajo.


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Rusi, Lynne Tracy tha se kriminalizimi i kritikave ndaj veprimeve të qeverisë është një shenjë dobësie, jo force.

"Ne mbështesim të drejtën e zotit Kara-Murza dhe çdo qytetari rus për të pasur një zë në drejtimin e vendit të tyre. Zoti Kara-Murza dhe një numër i madh qytetarësh rusë kanë besim dhe shpresojnë për një Rusi ku liritë themelore të jenë të mbrojtura. Dhe ne do të vazhdojmë t’i mbështesim këto shpresa dhe të punojmë për realizimin e tyre”, tha ajo.

Ambasadorja britanike në Rusi, Deborah Bronnert tha se çështja penale kundër zotit Kara-Murza, ishte rezultat i denoncimit të tij të guximshëm të agresionit rus në Ukrainë.

“Qeveria britanike qëndron në solidaritet me Vladimir Kara-Murzën dhe familjen e tij dhe bën thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm", tha ajo.

Departamenti amerikan i Shtetit e dënoi vendimin e gjykatës, duke thënë se zoti Kara-Murza “është objektivi i radhës i fushatës së përshkallëzuar të shtypjes nga ana e qeverisë ruse”.

Bashkimi Evropian e quajti dënimin e tij “mizor” dhe “të motivuar politikisht”.

Menjëherë pas fillimit të agresionit në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar, Rusia miratoi ligje të ashpra censure gjatë luftës, të cilat janë përdorur për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve.

Akuza për "diskreditim" të ushtrisë aktualisht mund të shoqërohet me deri në pesë vjet burg, ndërsa përhapja e qëllimshme e informacionit të rremë në lidhje me të, mund të sjellë një dënim me 15 vjet burg.

Politikanët pro-qeveritarë rusë thonë se uniteti në vend është jetik dhe i kanë cilësuar qytetarët rusë që vënë në dyshim veprimet e Moskës në Ukrainë, si pjesë e një kolone të pestë pro-perëndimore që përpiqet të minojë fushatën e ushtrisë.

Zoti Kara-Murza është sëmurur dy herë papritur në vitet 2015 dhe 2017, dhe ka thënë se bëhej fjalë për helmim nga shërbimet ruse të sigurisë.

Autoritetet ruse kanë mohuar të kenë gisht. Avokatët e zotit Kara-Murza thonë se si pasojë e këtyre rasteve, ai vuan nga një çrregullim i rëndë nervor i quajtur polineuropati.

XS
SM
MD
LG