Lidhje

Hooper: Akt-akuza ndaj Haradinajt nuk është akt-akuzë ndaj UÇK-së


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbajti një qëndrim dinjitoz ndaj akuzës së ngritur kundër tij, thotë James Hooper i Grupit për Ligjin dhe Politikën Publike Ndërkombëtare. Në një intervistë me kolegen tonë Isabela Çoçoli, zoti Hopper shprehu besimin se përgjigja e zotit Haradinaj tregon se ai ka shumë mundësi të vazhdojë të ketë një të ardhme politike në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, është pritur prej kohësh ngritja e akt-akuzës kundër Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Çili është reagimi juaj lidhur me këtë ngjarje?

James Hooper: Para së gjithësh do të doja të vlerësja qendrim prej burri shteti të Kryeministrit Haredinaj ndaj akuzës së ngritur kundër tij. Ngritja e akt-akuzës nuk do të thotë se ai është fajtor. Ai vetë ka thënë se nuk është fajtor. Ai ka pranuar vullnetarisht të shkojë në Hagë nesër, për t’u mbrojtur para Gjykatës në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Me veprimin e tij dinjitoz prej burri shteti ndaj këtij problemi ai e ka nderuar popullin e Kosovës. Së dyti, do të doja të vija në dukje se edhe komuniteti ndërkombëtar e ka trajtuar atë me shumë dinjitet, pikërisht si udhëheqës të zgjedhur të Kosovës, pa as më të voglin ndikim nga Sërbia, nga autoritetet e Beogradit. Komuniteti ndërkombëtar e ngriti këtë akt-akuzë në baza ligjore, e ka trajtuar atë me dinjitet, ai është lejuar të shkojë vetë në Hagë, ku do të lejohet ta mbrojë veten, dhe për mendimin tim kjo është shumë e rëndësishme. Së treti, është me shumë rëndësi të vihet në dukje se kjo nuk është në asnjë mënyrë një akt-akuzë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo ndaj rezistencës kundër shtypjes sërbe. Akt-akuza kundër Kryeministrit Haradinaj është akt-akuzë ndaj një personi dhe kjo nuk e sfidon aspak legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çfarë ajo bëri në vitet 1998 dhe 1999 kundër shtypjes sërbe. Por tani është me shumë rëndësi të theksohet se vemendja e botës është përqendruar tek Prishtina, tek Kosova. Bota është në pritje të shikojë se si populli i Kosovës do t’i përgjigjet kësaj ngjarjeje. Ne jemi tani në një periudhë kur do të diskutohet statusi i Kosovës. Besoj se duke u treguar i disiplinuar, duke treguar përmbajtje, populli i Kosovës do të bëjë hapa të mëdha përpara në muajt e ardhëshëm drejt satusit përfundimtar dhe pavarësisë. Ky është një moment që përkrahësit e zotit Haradinaj dhe partia e tij duhet të tregohen të përmbajtur dhe të mos reagojnë me forcë dhe dhunë, të nderojnë popullin e Kosovës, duke treguar gjithashtu se ata janë të gatshëm të jenë pjesë e komunitetit ndërkombëtar, pjesë e Evropës, duke e trajtuar këtë si një çështje ligjore që duhet të zgjidhet me gjyq.

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, akuzat kundër zotit Haradinaj ngrihen në muajin mars, për të cilin shumë analistë kanë thënë se është muaj trazirash në rajon. A ka kjo ndonjë lidhje me faktin?

James Hooper: Nga një pikpamje koha e ngritjes së kësaj akt-akuze nuk është e përshtatëshme, duke patur parasysh dhunën që ndodhi marsin e vitit të kaluar në Kosovë. Megjithatë, kjo ndodhi dhe nuk mund të kthehet mbrapsht. Por nga ana tjetër kjo i jep rastin popullit të Kosovës të distancohet nga kujtimi i dhunës së marsit të vitit të kaluar, duke treguar përmbajtje dhe gatishmëri për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar. Ky është një moment që populli i Kosovës mund t’i dëshmojë botës se është i aftë të shkojë përpara drejt statusit përfundimtar dhe pavarësisë, duke vepruar në të njejtën mënyrë dinjitoze dhe prej burri shteti si Kryeministri Ramush Haradinaj. Për më tepër përgjigja e zotit Haradinaj tregon se ai ka shumë mundësi të vazhdojë të ketë një të ardhme politike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG