Lidhje

SHBA vlerëson qëndrimin e zotit Haradinaj dhe bën thirrje për ruajtjen e qetësisë


Departamenti amerikan i shtetit vlerësoi vendimin e zotit Ramush Haradinaj për të dhënë dorëheqjen dhe për të shkuar në Hagë dhe tërhoqi vëmendjen për ruajtjen e rendit, si një nga elementet kryesore të standardeve që duhet të plotësojë Kosova. Zëdhënësi Richard Boucher bëri thirrje sot në konferencën e tij të përditshme për shtyp për kapjen dhe dërgimin në Hagë të të gjithë personave të akuzuar të rajonit, që janë në arrati.

Zoti Boucher vlerësoi të martën pasdite veprimet e zotit Haradinaj, pasi Gjykata e Hagës paraqiti padinë ndaj tij.

“Shtetet e Bashkuara e përshëndesin gatishmërinë që zoti Haradinaj ka shprehur për të shkuar në Hagë nesër. Ne i bëjmë thirrje popullit të Kosovës që të ruajë qetësinë dhe të mos ndërmarrë akte dhune. Ne gjithashtu përsërisim rëndësinë e vazhdimësisë së përpjekjeve për të plotësuar standardet në Kosovë. Respektimi i shtetit ligjor është një nga elementet thelbësore të standardeve”.

Zoti Boucher shprehu mbështetjen për Gjykatën e Hagës dhe e shfrytëzoi rastin për të bërë thirrje për bashkëpunimin me këtë gjykatë të të gjitha palëve në Ballkan.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve në Kosovë dhe në gjithë rajonin të bashkëpunojnë plotësisht me Gjykatën, çka do të thotë gjetje dhe dërgim në Hagë të të gjithë atyre mbi të cilët është ngritur padi dhe që nuk janë kapur ende”, tha ai.

Në një deklaratë të shpërndarë para konferencës për shtyp, zoti Boucher shprehej se bashkëpunimi me Hagën është një nga kushtet për integrimin e plotë në institucionet euro-atlantike.

Në të njëjtën deklaratë ai thotë se veprimi i zotit Haradinaj, tregon se sa i interesuar është ai për të ardhmen e Kosovës dhe të popullit të saj.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shprehu angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe të komunitetit ndërkombëtar në mbështetje të zhvillimit të institucioneve të Kosovës në përputhje me rezolutën 1244 dhe për vazhdimësinë e zbatimit të standardeve.

“Ne mbështesim pa rezerva standardet në Kosovë, mbështesim Grupin e Kontaktit dhe përpjekjet që ai po bën për të zbatuar rezolutën 1244 dhe ky është qëndrimi ynë”.

Në deklaratën e Departamentit të Shtetit theksohej se 2005-a është një vit i rëndësishëm për aspiratat e popullit të Kosovës dhe se që përparimi atje të vlerësohet pozitivisht këtë vit, Kosova duhet të ruajë paqen dhe të zbatojë standardet.

Zoti Boucher shprehet në deklaratë se populli i Kosovës do të ketë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në këto përpjekje, por se dhuna nuk do të tolerohej dhe do të kishte pasoja negative për rezultatin e shqyrtimit të të ardhmes së Kosovës.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës për këto çështje.

XS
SM
MD
LG