Lidhje

Tirana zyrtare: vendimi i Haradinajt dëshmon kulturë demokratike dhe përgjegjësi politike


Në Shqipëri vendimi i sotëm kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për të dhënë dorëheqjen dhe për tu dorëzuar vullnetarisht në Hagë është vlerësuar si një gjest që dëshmon kulturë demokratike dhe përgjegjësi të lartë politike.

Qeveria shqiptare bëri thirrje që kjo ngjarje të përballohet me gjakftohtësi dhe të vazhdojë mbështetja për institucionet vetqeverisëse në mënyrë që të mos pengohet procesi i nisur për plotësimn e standarteve. Politika shqiptare ështe treguar e kujdesshme në vlerësimet e saj ndaj situatës së krijuar në Kosovë pas aktakuzës së ngritur nga gjykata e Hagës ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj dhe vendimit të tij për të dhënë dorëheqjen e për tu dorëzuar vullnetarisht.

Qeveria e Tiranës nëpërmjet një deklarate të zëdhënësit Aldrin Dalipi rikujtoi fillimisht se Republika e Shqipërisë ka njohur dhe respektuar ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës ndërkombëtare për krimet në ish Jugosllavi duke besuar në parimet universale të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Qeveria e Shqipërisë nga ana tjetër vlerësoi lart figurën e zotit Haradinaj duke u shprehur se ai ka qenë një bashkëbisedues i angazhuar jo vetëm brenda spektrit politik kosovar por edhe në marrëdheniet ndërkombëtare. Qëndrimi i tij ndaj vendimit të gjykatës së Hagës ka dëshmuar, sipas qeverisë shqiptare, se ai është një qytetar dhe politikan i përgjegjshëm dhe i matur. Gjesti i tij, u shpreh zëdhënësi Dalipi, dëshmon kulturën demokratike dhe përgjegjësinë politike jo vetëm të atij por të mbarë një populli që aspiron për t’u bërë pjesë e pandarë e Europës së Bashkuar.

Vlerësime të shumta për zotin Haradinaj, ka bërë edhe sekretari për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Demokratike Besnik Mustafaj. Sipas tij qëndrimi i mbajtur nga kryeministri i Kosovës është shprehje e integritetit të tij te lartë. Zoti Mustafaj i tha Zërit të Amerikës se zoti Haradinaj është një figurw që ka dhënë kontribute të cmuara në 10 vitet e fundit të historisë së Kosovës. Dorëzimi i tij vullnetar në Hagë dëshmn sipas zoti Mustafaj se ish komandanti i Uck, është një politikan i qartë, që e ka kuptuar se Kosova ka nevojë për shtetin ligjor dhe për respektimin e standarteve ndërkombëtare.

Zoti Mustafaj është i mendimit se veprimi i zotit Haradinaj do ti shërbejë pjekurisë të të gjithë klasës politike dhe qytetarëve në Kosovë por edhe arritjes së synimeve të Kosovës për pavarësinë e saj. Përvec vlerësimeve ndaj pozicionit të marrë nga zoti Haradinaj ndaj situatës së krijuar, nga Tirana janë dhënë sinjale të qarta për nevojën e ruajtjes së gjakftohtësisë. Qeveria ka kërkuar nga klasa politike në Kosovë të forcojë bashkëpunimin vecanërisht me Unmik-un. Ajo ka shprehur besimin se do të vazhdjë mbështetja për institucionet vetqeverisëse që të mos pengohet mbarëvajtja e procesve të nisura për plotësimin e standarteve të kërkuara dhe arritjen e statusit final aq të rëndësishëm për të ardhmen europian të Kosovës.

XS
SM
MD
LG