Lidhje

Serwer: Prishja e rendit do të shkaktonte vonesa serioze për statusin përfundimtar


Drejtori i nismës për Ballkanin në Institutin e Paqes në Washington bën thirrje që në Kosovë të ruhet qetësia pas ngritjes së padisë ndaj zotit Haradinaj. Në një intervistë që i dha sot koleges Keida Kostreci, Daniel Serwer paralajmëroi se trazirat do të vononin procesin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe tha se institucionet e Kosovës duhet ta zgjidhin krizën me shpejtësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Server, cili është komenti juaj për zhvillimet e sotme, pra padinë e ngritur nga gjykata e Hagës dhe dorëheqjen e zotit Haradinaj për të shkuar vetë në Hollandë?

Daniel Serwer: Nuk kam ndonjë koment për padinë, pasi ajo është çështje e Gjykatës. Zoti Haradinaj veproi drejt që dha dorëheqjen dhe mesa duket do të veprojë drejt duke shkuar në Hagë për të mbrojtur veten. E vlerësoj jashtë mase për këtë veprim, sepse jo gjithkush e bën një gjë të tillë. Ai e bëri dhe kjo është diçka pozitive. Shpresoj që njerëzit në Kosovë ta vlerësojnë këtë fakt dhe të ruajnë qetësinë.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se do të ndikojë ky zhvillim në Kosovë tek emocionet dhe reagimet e njerëzve atje?

Daniel Serwer: Nuk dua të bëj parashikime. Do të shohim se ç’do të ndodhë, por mendoj se është mjaft e qartë që veprimi i Gjykatës nuk është arsye për trazira. Njerëzit mund të duan të demonstrojnë, të shprehin pikëpamjet e tyre, por nuk ka asnjë lloj justifikimi për sulme ndaj pakicave, UNMIK-ut, apo KFOR-it. Dhe mendoj se e pamë marsin e kaluar sesa mund t’i dëmtojnë sulme të tilla interesat e vetë Kosovës.

Zëri i Amerikës: Po nga pikëpamja politike: zoti Haradinaj konsiderohej një udhëheqës qeverie energjik. Si do të ndikojë padia e ngritur në punën e qeverisë, në përparimin e Kosovës, duke ditur se ky është një vit thelbësor për të ardhmen e saj?

Daniel Serwer: Është e vështirë të parashikohet, por ajo që është e qartë është se Kosova ka institucione që mund të merren me këtë krizë. Kosova ka një asamble dhe kryetarin e saj, ka një President dhe ata duhet të punojnë së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje. A do të jetë kjo zgjidhje në kuadrin e koalicionit aktual, apo të një koalicioni më të gjerë, nuk mund ta parashikoj, nuk e di se ç’do të ndodhë.

Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që institucionet janë dhe ato mund të marrin vendime. Një krizë e tillë është një sfidë e madhe për këto institucione, por kam besim të plotë që ata janë në lartësinë e duhur për ta përballuar këtë situatë.

Do të ishte një tragjedi për Kosovën nëse do të ndodhnin trazira. Mendoj se pavarësisht sesa trupa ka atje, ajo që duhet për të ruajtur qetësinë është vullneti i njerëzve dhe ndërgjegjësimi i njerëzve që padia e Gjykatës është një proces që ka logjikën e vet. Ramush Haradinaj duhet ta kalojë këtë proces. Ndërkohë institucionet janë në Kosovë dhe duhet të përballojnë këtë situatë.

Nuk ka dyshim që prishja e rendit në Kosovë do të prishte punë dhe mund të shkaktonte vonesa serioze në shqyrtimin e statusit përfundimtar.

Zëri i Amerikës: Cili mendoni se do të jetë reagimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj ngjarjeje, pra ndaj padisë së ngritur kundër zotit Haradinaj dhe zhvillimeve të mëtejshme në Kosovë?

Daniel Serwer: Edhe institucionet ndërkombëtare duhet të ruajnë qetësinë dhe të presin që institucionet vendore ta zgjidhin krizën, të zgjedhin një kryeministër të ri, që pastaj do të vendosë marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar.

Mesa di unë qeveria ndërkohë vazhdon të funksionojë dhe ata do të duhet të paktën të caktojnë një kryeministër, një koalicion të ri, por i takon Kosovës të vendosë, jo komunitetit ndërkombëtar.

Unë nuk di shumë hollësi për padinë. Kam interes ta di se për çfarë është paditur. Duhet të presim të shohim padinë dhe të lejojmë gjykatëm të vazhdojë procesin.

XS
SM
MD
LG