Lidhje

Udhëheqësit shqiptarë mbështetën vendimin e zotit Haradinaj për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës


Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës vlerësuan sot rolin e kryeministrit Ramush Haradinaj në luftën e Kosovës dhe në vitet e paqes që pasuan, duke mbështetur vendimin e tij të sotëm për të bashkëpunuar me gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike u kërkuan qytetarëve të sillen me mencuri dhe të ruajnë qetësinë.

Presidenti ibrahim Rugova vlerësoi rolin e kryeministrit Haradinaj dhe punën që ka bërë ai, duke e quajtur njeri të bashkëpuimit. Ai vlerësoi vecanërisht vendimin e kryeministrit për të bashkëpunuar me gjykatën e Hagës dhe kërkoi nga qytetarët e Kosovës që të ruajnë qetësinë, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë vendimin e zotit Haradinaj.

Zoti Rugova kërkoi që të gjithë të ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë dhe siguroi se qeveria do të vazhdojë punën. Kryetari i parlamentit Nexhat Daci, tha se ngritja e akt-akuzës për kryeministrin Haradinaj nga gjykata e Hagës është ndërhyrje në procesin politik në Kosovë.

Zoti Daci tha se prêt që zoti Haradinaj të shpallet i pafajshëm nga gjykata dhe të kthehet dhe të vazhdojë punën si kryeministër. Kryetari i partisë demokratike të Kosovës partia më e madhe opozitare, Hashim Thaci, bëri thirrje për ruajtje të qetësisë, stabilitetit institucional, thellimit të bashkëpunimit me ndërkombëtar dhe rritjes së përkushtimit të udhëheqësve shqiptarë të Kosovës për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Zoti Thaci tha se këto ishin edhe mesazhet që dha sot vetë kryeministri Ramush Haradinaj. Zoti Thaci ftoi qytetarët e Kosovës që të kenë sjellje të urta dhe të mencura. Cdo qytetar i Kosovës duhet ta respektojë ftesën e kryeministrit Haradinaj, tha ai. Kryetari i opozitës demokratike kërkoi që të mos ketë boshllëk institucional.

Kryetari i partisë politike Ora, Veton Surroi, i cili gjithashtu vlerësoi figurën e zotit Haradinaj në luftë dhe në paqe, kërkoi që institucionet ndërkombëtare në Kosovë të japin garanci në mënyrë që zoti Haradinaj të mbrohet në liri. Ai pohoi se Kosova ka tani krizë qeverisëse dhe kërkoi që brenda një kohe të caktuar të arrihet pajtueshmëri për qeverisjen në vazhdim.

Komandanti i trupave mbrojtëse të Kosovës, gjenerali Agim Ceku, e quajti akt-akuzën padrejtësi të madhe dhe fyerje që i bëhet Kosovës, luftës së UCK-së dhe familjes Haradinaj. Megjithatë zoti Ceku kërkoi që qytetarët e Kosovës të respektojnë vendimin e zotit Haradinaj për të bashkëpunuar me gjykatën e Hagës, duke e quajtur veprimin e kryeministrit veprim moral dhe politik.

Qytetarët e Kosovës që kishin dëgjuar muajt e fundit thënie dhe kundërthënie për mundësinë që zoti Haradinaj të akuzohej nga gjykata e Hagës, ndërkohë që kryeministri vazhdonte punën duke u vlerësuar pozitivisht për këtë punë pothuaj në të gjitha qarqet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë, u shprehën të tronditur vecanërisht duke dëgjuar vetë kryeministrin të deklaronte publikisht se ishte ngritur aktakuzë kundër tij.

Po kështu, prania e forcave të sigurisë, vecanërisht e shërbimit policor të Kosovës, ishte mjaft e dukshme në rrugët kryesore të Prishtinës dhe në pjesë të tjera më të ndjeshme të Kosovës. Megjithatë, gjendja në Kosovë duket e qetë ndërkohë që pritet që nesër kryeministri Haradinaj pritet të udhëtojë për në Hagë.

XS
SM
MD
LG