Lidhje

Ekaterina Trendafilova edhe katër vjet në krye të Gjykatës së Posaçme


Ekaterina Trendafilova, kryetare e Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, do të drejtojë edhe për katër vjet këtë institucion që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Në një njoftim të Dhomave të Specializuara, siç njihet Gjykata e Posaçme, thuhet se “autoriteti emërues, ambasadori Lars-Gunnar Wigemark, (shef i Misionit te Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë) riemëroi gjykatësen Ekaterina Trendafilova si kryetare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (edhe për katër vjet, emërim që hyn në fuqi nga data 15 dhjetor 2020”.

Zonja Trendafilova ishte emëruar herën e parë në dhjetor të vitit 2016.

Ajo citohet të ketë shprehur mirënjohjen për “besimin që i është dhënë për të vijuar t’u shërbejë Dhomave të Specializuara të Kosovës të cilat kanë hyrë në një fazë të re dhe të rëndësishme me nisjen e proceseve gjyqësore”, ndërsa ka shprehur besimin se proceset do të përmbyllen “në mënyrë të sigurt, të pavarur, të paanshme, të drejtë dhe efikase, në pajtim me mandatin e Dhomave të Specializuara”.

Në shtator të këtij viti Sali Mustafa ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës u arrestua nën akuzat për krime lufte, përkatësisht për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në paraqitjen e parë para gjykatës ai tha se ndjehet i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Arrestimi i tij u pasua me arrestimin në fillim të muajit nëntor të ish drejtuesve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Të gjithë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Që të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat e prokurorisë

Gjykata e Posaçme u themelua me vendimin e parlamentit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe do të trajtoje pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës që pëfshijnë periudhën nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata e financuar nga Bashkimi Evropian, vepron në përputhje me ligjet e Kosovës, ndërsa vendosja e saj në Hagë është thënë se është bërë për faktin se dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG