Lidhje

Joe Biden inaugurohet sot si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara


Joe Biden do të jetë presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të mërkurën, ndërsa Kamala Harris, bëhet gruaja e parë që shërben si nënpresidente, kur të dy të bëjnë betimin në mesditë (sipas kohës amerikane) në një inaugurim më modest për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Do të mungojë turmat e zakonshme prej qindra mijëra pjesëmarrësve që shtrihen nga Kapitoli e tutje përgjatë shëtitores kombëtare. Në vend të tyre, një det me 200 mijë flamuj të Shteteve të Bashkuara, përfaqësojnë ata që nuk mund të marrin pjesë.

Para marrjes së detyrës, zoti Biden dha një mesazh uniteti, posaçërisht për nevojën e bashkimit për t'u përballuar me sfidat e shkaktuara nga pandemia që u mori jetën 400 mijë vetave në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktoi shumë vështirësi ekonomike.

"Duhet të kujtojmë. Ndonjëherë është e dhimbshme të kujtosh, por kështu rimëkëmbemi. Është e rëndësishme ta bëjmë një gjë të tillë si komb," tha zoti Biden të martën vonë ndërsa bashkë më zonjën Harris udhëhoqi një ngjarje përkujtimore para Memorialit të Linkolnit për ata që kanë vdekur. Rreth 400 drita u ndezën rreth Pishinës Reflektuese.

Ai më vonë u zotua të "fillojë menjëherë nga puna” pasi të jetë betuar, duke thënë se “nuk kemi asnjë sekondë për të humbur kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi si komb".

Zoti Biden me bashkëshorten e tij Jill dhe zonja Harris më bashkëshortin e saj, Doug Emhoff, do ta fillojnë të mërkurën duke marrë pjesë në një shërbesë kishtare në Katedralen e Shën Mateut në Uashington.

Në kohën kur fillon shërbimi, presidenti në largim, Donald Trump, do të jetë jashtë Shtëpisë së Bardhë në rrugë për në Florida. Donald Trump është udhëheqësi i parë i Shteteve të Bashkuara që nuk merr pjesë në inaugurimin e pasardhësit të tij në më shumë se 150 vjet.

Nënpresidenti në largim, Mike Pence, pritet të marrë pjesë, ashtu si edhe ish presidenti Barack Obama më gruan e tij, Michelle, ish presidenti George Ë. Bush me gruan e tij Laura, dhe ish presidenti Bill Clinton dhe ish sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.

Pas ceremonisë së inaugurimit, zoti Biden dhe zonja Harris planifikohet të marrin pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare në Arlington.

Zoti Biden, i cili shërbeu tetë vjet si nënpresident i zotit Obama, më pas planifikon të nënshkruajë një numër urdhrash ekzekutiv dhe të kryejë veprime të tjera presidenciale, ndërsa sekretarja e tij e shtypit, Jen Psaki, planifikon të mbajë një konferencë me gazetarë.

Zoti Biden dhe zonja Harris pritet të flasin në mbrëmje në një shfaqje të posaçme televizive.

Në mesin e pjesëmarrësve në veprimtaritë e sotme do të jenë artistët muzikorë Katy Perry, Luis Fonsi, Tim McGraw dhe Lin-Manuel Miranda, së bashku me aktorët Kerry Washington dhe Eva Longoria, ylli i basketbollit, Kareem Abdul-Jabbar, kuzhinieri José Andrés dhe Kim Ng, gruaja e parë menaxhere e përgjithshme e një ekipi të Ligës së Bejsbollit.

Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për inaugurimin që mbahet dy javë pasi që mbështetësit e presidentit Trump sulmuan Kapitolin, në trazirat vdekjeprurëse ndërsa u përpoqën të pengonin certifikimin e fitores së zotit Biden.

Zonja Harris nuk u dha shumë peshë shqetësimeve për sigurinë personale duke thënë se "mezi pret që të betohet".

Zyrtarët amerikan të sigurisë thonë se po marrin çdo masë parandaluese, përfshirë verifikimin nga FBI-ja të të dhënave për më shumë se 25,000 trupa të Gardës Kombëtare që janë vendosur për të ndihmuar në mbrojtjen e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

Dymbëdhjetë pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë hequr nga shërbimi pas një verifikimi të figurës së tyre, që përfshinte shqyrtimin për lidhje të mundshme me ekstremizmin e krahut të djathtë, thanë të martën zyrtarët e Pentagonit.

Vendi i inaugurim është i rrethuar me tela, një shfaqje shumë më e theksuar e sigurisë sesa ka qenë e zakonshme në inaugurimet e kaluara.

Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar ngriti akuza për herë të dytë për shkarkimin e zotit Trump, këtë radhë për nxitje të dhunës. Ende nuk ka një datë për gjyqin e tij në Senat. Nëse shpallet fajtor, zotit Trump, që bëhet presidenti i parë amerikan mbi të cilin ngrihen dy herë akuza për shkarkim, mund t’i ndalohet ushtrimi i çfarëdo posti federal.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG