Lidhje

Blinken në Lindjen e Mesme për Iranin


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po përpiqet të sigurojë Izraelin dhe udhëheqës të tjerë të shteteve të Gjirit, se ringjallja e marrëveshjes bërthamore me Iranin është mënyra më e mirë për t'u siguruar që Teherani të mos shtjerë në dorë kurrë një armë bërthamore. Pas largimit të nga Izraeli, zoti Blinken ndaloi në Marok për bisedime.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shpalosi qëllimin e vizitës së tij në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, edhe pse Uashingtoni e ka përqendruar vëmendjen tek ndërhyrja ruse në Ukrainë.

“Kjo është një pjesë e botës ku Shtetet e Bashkuara kanë interesa jetike dhe disa nga miqtë më të ngushtë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të investojnë në rajon, duke forcuar marrëdhëniet që janë thelbësore për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, duke bërë përparim në sfidat e qëndrueshme, duke zgjeruar mundësitë për popujt tanë dhe në të njëjtën kohë, duke qëndruar të fokusuar në dhënien fund të agresionit të Kremlinit.”

Zoti Blinken vizitoi Marokun të martën, ku u takua edhe me Princin e Kurorës së Abu Dabit. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se rajoni i Afrikës së Veriut do të jetë veçanërisht i rrezikuar ekonomikisht si rezultat i sulmit rus në Ukrainë. Zëri i Amerikës bisedoi përmes rrjetit Skype me analistin Brian Katulis të Institutit të Lindjes së Mesme.

“Afrika e Veriut tashmë po ndjen një presion të lartë ekonomik dhe social nga rritjet e çmimeve të ushqimit dhe energjisë. Pak më shumë se një dekadë më parë, kryengritjet popullore në këtë rajon çuan në revolucione dhe trazira që pjesërisht ishin të lidhura me rritjen e çmimeve në atë kohë. Vizita është përpjekje për të parë nëse Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje.”

Gjatë ndalesës në Izrael, zoti Blinken u përpoq të siguronte aleatët se Uashingtoni është i përkushtuar për të mos lejuar Iranin që të shtjerë në dorë armë bërthamore.

Shtetet e Bashkuara besojnë se kthimi tek zbatimi i plotë i marrëveshjes bërthamore me Iranin është mënyra më e mirë për ta kthyer programin bërthamor brenda ‘kutisë’ ku ishte. Por ka dalë prej saj që kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga ajo marrëveshje”.

Administrata e Presidentit Biden ka bërë përpjekje për ta ringjalluar marrëveshjen bërthamore iraniane të vitit 2015, e cila vendosi kufizime ndaj programit bërthamor të Teheranit në shkëmbim të zbutjes së sanksioneve. Ish-presidenti Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018.

Ekspertët thonë se një çështje e pazgjidhur është se Irani kërkon që Shtetet e Bashkuara të heqin Korpusin e Gardës Revolucionare iraniane nga lista e organizatave të huaja terroriste. Izraeli dhe shumica e ligjvënësve republikanë e kundërshtojnë një hap të tillë, thotë për Zërin e Amerikës eksperti Behnam Ben Taleblu me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

“Duke patur parasysh se administrata e Presidentit Biden po e cilëson këtë si një marrëveshje vetëm bërthamore dhe nuk po kufizon strukturën e terrorizmit iranian, raketat balistike dhe veprime të tjera ushtarake, kërcënimet ndaj vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara apo sigurisë amerikane në rajon, nuk ka kuptim që Uashingtoni të ofrojë lehtësim të sanksioneve jo-bërthamore. Për fat të keq, duket se ky është kursi në pritje që po ndjek administrata.”

Irani thotë se pajtueshmëria për ringjallen marrëveshjes bërthamore është e pashmangshme, por zyrtarët amerikanë janë treguar të kujdesshëm, duke thënë se ende mbeten çështje të mprehta.

XS
SM
MD
LG