Lidhje

Gjendje e jashtëzakonshme në zonat e goditura nga tërmeti


Vijon të rëndohet bilanci i viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi mëngjesin e të martës Shqipërinë. Sipas të dhënave të fundit zyrtare mendohet të jenë të paktën 30 persona që deri tani rezultojnë të kenë humbur jetën, nga të cilët të paktën14 janë gjetur në rrënojat e banesave të shembura në disa zona të Durrësit, 15 në Thumanë ku janë rrënuar dy pallate, dhe 1 person i cili humbi dje jetën në Kurbin.

Autoritetet thonë se janë ndoshta dhe rreth 20 persona të tjerë që mungojnë në apel. Kërkimet po vijojnë në mënyrë intensive si në zonat e Durrësit ashtu dhe në Thumanë.

Gjithsej numri i atyre që u paraqitën për të kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve nga tërmeti, është rreth 650 persona. Në spitalet e Tiranës dhe Durrësit ende gjatë ditës së sotme, ishin mbi 60 personat e lënduar që ndodheshin ende të shtruar nën kujdesin e mjekëve.

“Tetë prej tyre janë në gjendje të rëndë”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke shtuar se po shikohet mundësia për dërgimin e tyre jashtë vendit.

“Të paktën për një vajzë dhe një djalë, të cilët u janë nënshtruar dhe ndërhyrjeve kirurgjikale, jemi në kontakte me partnerët italianë, dhe po vlerësojmë mundësinë e transferimit të tyre në Itali”, tha ajo.

Qeveria shqiptare shpalli sot gjendjen e jashtëzakonshme. Vendimi u njoftua nga kryeministri Edi Rama i cili mblodhi kabinetin e tij në orët e para të ditës.

“Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyra e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranë. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t'iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditëshe”, tha kryeministri Rama.

Shqipëria nuk do të festojë as me rastin e 28-29 Nëntorit. “Këto do të jenë Ditët e Solidaritetit”, deklaroi zoti Rama.

Kryeministri njoftoi më tej se qeveria po synon organizimin dhe të dy konferencave ndërkombëtare donatorësh, për të siguruar financime për përballimin e pasojave të tërmetit. Kryeministri shpjegoi se me presidentin turk Erdogan pothuajse është arritur të bëhet një takim me vendet e Lindjes, ndërkohë që një konferencë e dytë do të synohet të organizohet me vendet e Bashkimit Europian “duke kërkuar aktivizimin e mekanizmit të solidaritetit të BE-së dhe për rastin e Shqipërisë. Shumë vende të BE-së kanë dhënë mbështetje”, duke shpjeguar se me shumë prej tyre do të komunikojë drejtpërdrejtë në takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s, më 3-4 dhjetor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG